Kriminologji - Penologji

Print

Bojana Hajdini, PhD

Kodi
LAW 442
Emri
Kriminologji - Penologji
Semestri
8
Leksione
3.00
Seminare
0.00
Laboratore
0.00
Kredite
3.00
ECTS
6.00
Përshkrimi

Ky kurs, në kuadër të Kriminologjisë, ka për qëllim që të ofrojë njohuri të avancuara lidhur me format e shfaqjes se kriminalitetit, shkaqet dhe rrethanat të cilat e mundësojnë atë, njohjen e personalitetit të autorëve të krimit, si dhe llojet dhe mënyrat e parandalimit të kriminalitetit. Për këtë arsye, gjatë studimit të lëndës studenti njihet me mendimin kriminologjik në rrugën e zhvillimit të tij, metodat e studimeve kriminologjike, fenomenologjinë kriminale, makrokriminologjinë, mikrokriminologjinë, faktorët kriminogjenë apo me viktimologjinë. Në objektin e studimit të lëndës hyjnë gjithashtu studimi i kriminalitetit në kategori të caktuara, si gratë, të miturit, apo edhe studimi në aspektin kriminologjik i formave më të përhapura të krimit në shoqërinë e sotme. Në kuadër të Penologjisë, lënda trajton dënimin format dhe funksionet e tij, ekzekutimn e vendimeve penale, si dhe institucionet respektive përgjegjëse. Në fokusin e studimit të kësaj lënde hyn gjithashtu edhe trajtimi i personave të dënuar me heqje lirie apo atyre të vendosur në një nga alternativat e dënimit me burgim, parë nën këndvështrimin e standardeve ndërkombëtare. Gjatë kursit studentëve do t’u vihen në dispozicion burime të shumta bashkëkohore vendase dhe të huaja, duke ndërthurur, për sa është e mundur, dimensionin teorik me atë praktik.

Objektivat

Në fund të këtij kursi studentet duhet të jenë në gjendje: (1) te njohin dhe artikulojnë metodat kyçe dhe të dhënat e burimeve të përdorura për të studiuar krimin; (2) te kuptojnë tendencat dhe zhvillimin e krimit ne raport me moshën, gjininë, etninë, klasat sociale, etj; (3) të njohin faktorët kriminogjenë, si dhe personalitetin e personave të prirur për të kryer krime; (4) të njohin metodat e studimeve viktimologjike; (5) të njohin aspektet kriminologjike të krimeve më të përhapura në shoqëritë e sotme, si dhe mënyrat e parandalimit të kriminalitetit; (6) të njohin llojet e dënimit dhe funksionin e tij; (7) të njohin mënyrën e ekzekutimit të vendimeve penale dhe institucionet përgjegjëse kompetente; (8) të njohin trajtimin e personave të dënuar me heqje apo kufizim lirie.

Java
Tema
1
Hyrje ne kriminologji. Metodat e studimeve kriminologjike Tema paraqet një vështrim të përgjithshëm të kriminologjisë si disiplinë shkencore, jep përkufizimin e saj, fushën dhe objektin e studimit, si dhe rëndësinë që paraqet kjo degë në kuadër të së drejtës në tërësi. Gjithashtu, në fokus të kësaj teme do të jenë edhe metodat e përdorura për kryerjen e studimeve me natyrë kriminologjike, duke bërë edhe kategorizimin e tyre dhe shpjegimin e secilës metodë sëbashku me përparësitë dhe mangësitë e saj. (Fq.12-33)
2
Mendimi kriminologjik dhe zhvillimi i tij Tema trajton fillesat e kriminologjisë si disiplinë shkencore dhe autorët e parë, të cilët me studimet e tyre hodhën bazat e kriminologjisë. Analiza do të paraqesë në mënyrë evolutive zhvillimin e mendimit rreth krimit dhe faktorëve kriminogjenë, karakteristikave të autorëvë të krimeve dhe aspekte të tjera të lidhura me krimin. Kryesisht tema do të trajtohet në perspektivë historike, duke filluar që me studiuesit e hershëm si Lombroso e deri te zhvillimet e ditëve të sotme. (Fq.34-59)
3
Makrokriminologjia Kjo temë do të njohë studentët me definicionin e makrokriminologjisë dhe fushën e studimeve të saj. Tema do të fokusohet vecanërisht në krimet që ndodhin në cdo shoqëri apo që janë të zakonshme në cdo shtet të botës, duke e studiuar në këtë mënyrë kriminalitetin në nivel të gjerë për të nxjerrë konkluzione rreth natyrës së tij, karakteristikave, formave më të shpeshta të përhapjes së kriminalitetit dhe veprat penale që kryhen masivisht. Në këtë mënyrë krimi do të studiohet në mënyrë të përgjithshme pa u ndalur në raste apo autorë specifikë. (Fq.60-84)
4
Kriminaliteti, shkaqet dhe faktorët kriminogjene. Parandalimi i kriminalitetit Tema njeh studentët me kriminalitetin n aspektin kriminologjik të tij. Në fokus të kësaj teme është identifikimi dhe përshkrimi i shkaqeve që shtynë njerezit të kryerjnë vepra penale dhe faktorëve që ndikojnë në kryerjen e të tilla veprimeve joligjore. Njohja e shkaqeve dhe faktorëve kriminogjen përbën një hap të rëndësishëm në luftën kundër kriminalitetit, sepse përmes politikave shtetërore e sociale, mund të parandalohet kriminaliteti. Parandalimi i kriminalitetit dhe strategjitë që përdoren do të jenë gjithashtu pjesë përbërëse e zhvillimit të kësaj teme. (Fq.85-113)
5
Mikrokriminologjia Kjo temë i njeh studentët me fushën e mikrokriminologjisë, si një pjesë mjaft e rëndësishme e studimeve kriminologjike. Fokusi kryesor i kësaj teme do të jetë interpretimi mikrokriminologjik i krimit duke u bazuar te studimi i një grupi të caktuar autorësh ose i një krimi të vecantë. Gjithashtu tema do të diskutojë rreth teorive kriminologjike që tentojnë të shpjegojnë se pse disa individë janë më të prirur se të tjerët për të kryer vepra penale. (Fq.114-141)
6
Viktimologjia Kjo temë merr në shqyrtim disiplinën e viktimologjisë e cila studion viktimat e krimit, sjelljet e tyre para dhe pas kryerjes së veprës penale dhe paraqet karakteristikat e tyre në cilësinë e të dëmtuarit nga vepra penale. Raporti mes viktimës dhe autorit të krimit, si dhe eksperienca e viktimës si pjesë e sistemit të drejtësisë penale ekzaminohen nga perspektiva e viktimës. Tema njeh studentët me faktorët të cilët rrisin mundësinë e individëve të caktuar për t`u shndërruar në viktima. Të dhëna statistikore dhe elemente të demografisë së viktimave të tilla si mosha, raca, gjinia dhe statusi social, analizohen në perspektivë krahasuese me njëra-tjetrën. (Fq.156-188)
7
Aspekte kriminologjike të krimeve më të përhapura në shoqëritë e sotme Tema merr në shqyrtim dhe analizon krimet kryesore në shoqëritë e sotme, të tilla si krimet kundër jetës, shëndetit, pasurisë, krimet seksuale etj dhe identifikon shkaqet dhe faktorët që nxisin zhvillimin e të tilla formave të kriminalitetit. Analiza bëhet kryesisht në kuadrin teorik, por shoqërohet edhe me raste praktike për të ilustruar sesi aplikohen teoritë kriminologjike në studimin e formave të ndryshme të krimeve. (Fq.191-236)
8
Provimi gjysmë final
9
Hyrje në Penologji Tema paraqet një vështrim të përgjithshëm të disiplinës së penologjisë, duke përcaktuar qëllimin dhe fushën e saj të studimit. Do të diskutohet rreth rolit që ka ajo në përcaktimin e bazës etike të dënimit sebashku me motivet dhe qëllimet që ka shoqëria, do të bëjë një krahasim të ligjeve penale dhe procedurave përgjatë historisë dhe mes shteteve; si dhe do të vlerësojë pasojat sociale të politikave në fuqi në një periudhë të caktuar kohore. (Fq.10-36)
10
Reagimi i shoqërisë ndaj krimit. Dënimi dhe funksionet e tij Tema merr në shqyrtim format e reagimit të shoqërisë ndaj veprimeve që bien ndesh me ligjet e vendosura prej saj. Analiza do të bëhet në perspektivë historike, duke përmendur format e ndryshme të sanksioneve që ka aplikuar shoqëria njerëzore në periudha të ndryshme kohore. Gjithashtu, do të përkufizohet dënimi, si një masë ndëshkuese që jepet nga gjykatat për personat që gjenden fajtorë për kryerjen e veprave penale, si dhe do të analizohen funksionet e dënimit, ku ndër më kyesorët janë funksioni rehabilitues, ndëshkues, edukues, parandalues. (Fq.37-58)
11
Sistemet e ekzekutimit të dënimeve penale Tema njeh studentët me sistemet kryesore të ekzekutimit të dënimeve penale,. Analiza bëhet në nivel historik, duke renditur sistemet më të hershme të ekzekutimit të dënimeve penale deri te sistemet aktuale. Krahasimi dhe ballafaqimi i tyre me njëra-tjetrën shërben për të njohur më mirë secilin sistem nga ana e studentëve. (Fq.60-91)
12
Ekzekutimi i vendimeve penale Kjo temë studion vënien në ekzekutim të vendimeve penale dhe urdhërimeve të tjera ligjore, si dhe mënyrën e vuajtjes së tyre. Me ekzekutim të vendimit penal kuptohet zbatimi i urdhërimeve që përmban vendimi penal i formës së prerë dhe i vendimeve që kanë ekzekutim të menjëhershëm, me synimin e riedukimit të të dënuarve, të rivendosjes së të drejtave të personave të proceduar padrejtësisht dhe të drejtave të subjekteve juridike të cënuara nga vepra penale, duke ndikuar në parandalimin e tyre. Objekt analize do të jenë gjithashtu mënyrat e ekzekutimit të vendimeve penale, mënyra e ekzekutimit të dënimeve me gjobë, plotësuese, alternative, afatet, kontrolli, mbikëqyrja dhe roli i organeve kompetente në këtë proces. (Fq.92-123)
13
Trajtimi i personave të paraburgosur dhe atyre të dënuar me burgim Tema merr në shqyrtim standardet kombëtare dhe ndërkombëtare që duhen ndjekur për trajtimin e personave të paraburgosur dhe atyre të dënuar me burgim, të drejtat që gëzojnë, kompetencat dhe detyrat e organeve shtetërore kompetente. Gjatë analizës studentët do të njihen me parimet themelore, të drejtën e kërkesës dhe ankimit, parandalimin e dhunës, programin e individualizuar të trajtimit të tyre, kushtet e jetesës brenda institucioneve përkatëse, kujdesin shëndetësor, arsimimin, lidhjet me familjen, të drejtën për të punuar, përgjegjësinë displinore. Përvec kuadrit teorik, studentët do të njihen edhe me dimensionin praktik të respektimit të standardeve të tilla. (Fq.125-160)
14
Trajtimi i personave në mjedise të hapura dhe gjysëm të hapura Tema analizon standardet dhe rregullat e vecanta të trajtimit të personave në mjedise të hapura dhe gjysëm të hapura. Gjatë zhvillimit të temës do të theksohet detyrimi për t`i përfshirë ata në programe arsimimi, formimi profesional, punësimi, veprimtari kulturore, sportive, si dhe në programe të këshillimit psikologjik e social. Analiza bëhet kryesisht në kuadrin teorik, por shoqërohet edhe me raste praktike për të ilustruar standardet e përmendura. (Fq.161-197)
15
Trajtimi i kategorive të veçanta të personave të dënuar me heqje lirie Kjo temë paraqet rregullat e vecanta në lidhje me trajtimin e kategorive të vecanta të personave të dënuar me heqje lirie. Analiza do të fokusohet te kujdesi shëndetësor për kategori të vecanta, me crregullime të shëndetit mendor, gratë e dënuara, shërbimet specifike në raport me moshën dhe gjininë, personat që janë përdorues të drogës apo alkoolit, personat që manifestojnë shenja të stresit, personat me sëmundje kronike dhe të moshuarit. Gjithashtu, vëmendje gjatë zhvillimit të temës do të ketë mënyra e trajtimit të grave shtatzëna, minoriteteve etnike apo gjuhësore, si dhe nevojave për arsim e të rinjve nën 25 vjec. (Fq.198-233)
16
Provim Final
1
Në përfundim të këtij kursi, studenti do të mund të artikulojë konceptet bazë të aplikuara nga teoritë e ndryshme të kriminalitetit për të kuptuar krimin në shoqëri. Studenti do të njohë dhe do të jetë i aftë të aplikojë metodat e studimeve kriminologjike. Studenti do të jetë i aftë të kuptojë tendencën dhe zhvillimin e krimit ne raport me moshën, etninë, gjininë apo klasat sociale, etj . Studenti do të njohë faktorët që çojnë drejt krimit, si dhe ndikimin që ka personaliteti i individit në përfshirjen e tij në krim. Studenti do të ketë një panoramë të përgjithshme mbi kriminalitetin në shoqërinë e sotme dhe mënyrat e parandalimit të kriminalitetit. Studenti do të njihet me llojet e dënimit, funksionin, si dhe qëllimin e tij. Studenti do të njohë sistemet e ekzekutimit të dënimeve penale, si dhe mënyrën e ekzekutimit të tyre. Studenti do të njihet me standardet ndërkombëtare të trajtimit të personave të dënuar me heqje lirie.
Sasia Përqindja Përqindja totale
Gjysmë finale
1 50% 50%
Kuize
0 0% 0%
Projekte
0 0% 0%
Detyra
0 0% 0%
Laboratorët
0 0% 0%
Pjesëmarrja në mësim
0 0% 0%
Përqindja totale e vlerësimit
50%
Përqindja e provimit përfundimtar
50%
Përqindja totale
100%
Sasia Kohëzgjatja (orë) Gjithsej (orë)
Kohëzgjatja e kursit (përfshirë javët e provimit)
16 3 48
Orë studimi jashtë klasës
14 3 42
Detyrat
0 0 0
Gjysmë finale
1 30 30
Provimi përfundimtar
1 30 30
Të tjera
0 0 0
Ngarkesa totale e punës
150
Ngarkesa totale e punës / 25 (orë)
6.00
ECTS
6.00